1. Hë erdhe? Prapë vonë dhe sot. Si të futi roja në godinë?
2. I dha ai djali që isha, 2 mijë lekëshin e radhës dhe më futi pa problem
Akoma duke mësuar ti që kur dola unë?
Dil moj bej qejf! Do vdesësh mbi mësime e do thonë. Shkaku i vdekjes. Sëmundje intelektuale.
1. Po mësoj sistemin e informacionit. Si të hedh të dhënat financiare.
2. Ç’të dhëna të hedhesh ti kur nuk ke asnjë hyrje lekësh në hard diskun tënd. Në xhep e kam fjalën.
1. Ehhhhhhhhh, xhepi im ka virus. Vetëm nxjerr e nuk fut. Nuk e bej dot vezën tënde unë jo.
2. Mos bëj vezë moj. Bëj gjë tjetër. Vezët i bëjnë pulat. Ne jemi akoma zoçka.
1. E çfarë bëjnë zoçkat që s’e ditkam unë?!
2. Marrin mësime vallëzimi. Mësojnë të bëjnë sparkadën dhe piruetin.
1. Mirë, mirë më lër pak të mësoj të lutem se qenka bombë kjo lënda e sistemit të informacioneve.
2. Ajo lëndë është kot fare moj! Unë s’kam nevojë ta mësoj. S’kam nevojë madje as për hard disk. I mbaj mend të gjitha hyrjet financiare. Ja sot p.sh, i dashuri më dha 50 euro
85 në fakt, por nuk i llogaris ato që harxhova unë
1. Do t’ia kthesh prapë apo si përherë jo?
2. Them t’ia kthej ndonjë dite …… Por me delete
1. Ç’bëre sot? Ishe në mësim?
2. Jo jo, bëmë protestë në fakultet.
1. Përse e bëtë protestën, që të vija dhe unë?
2. E po t’i mbyllesh këtu gjithë ditën vetëm. S’merr erë fare nga jeta. Vetëm erën e preshit dhe karotave që gatuan ndjen.
1. Po hë pra, më thuaj përse u bë protesta.
2. Kanë rritur pagesën vjetore të fjetjes në godinë. Nuk e more vesh.
1. Po e mora vesh atë lajm. Më erdhi si bombë. Do vij dhe unë në protestë.
2. Jo jo, ti shko me vajzat e tjera. Grupi ynë bëri protestë që të na bëjnë ulje pagese, Duam të na llogariten netët dhe ditët që s’flemë në konvikt, por flemë në motele. Mos eja me neve, se ti vetëm në konvikt fle përherë.
U ndjeva shumë inferiore te ajo protestë. Më mirë mos kisha shkuar fare.
1. Po përse u ndjeve inferiore?! Ç’ndodhi?
2. Po atje kishte shoqe të mija që nuk flenë 100 ditë në hotele si puna ime, Kishte disa që flenë madje edhe 150 ditë. Lëre njëra pastaj që e mban dhomën në konvikt vetëm për efekt dokumenti të justifikohet përpara prindërve.
Kështu, nuk shkon kjo punë fare. Duhet të bëj diçka për të vënë emrin e mirë në vend. Ndoshta duhet të rinovoj të gjithë gardërobën.
1. Po ti gardërobën te re e ke. Përherë gjera të reja blen.
2. Të re sipas standardeve të tua. Do ta rinovoj se s’bën këtë muaj.
1. Ku e bëtë protestën. Kë takuat?
2. Shkuam te drejtoria, takuam zv. drejtorin, se drejtori ishte me shërbim.
1. Po ai ç’tha?
2. Ai s fliste fare. I shkonte koka të shkretit si lavjerrës matematik. Kthe sytë nga e majta, e shih minifund, kthe nga e djathta e shih dekolte
1. I shkreti zv. drejtor. E paske joshur ti me duket.
2. Jo jo. Ai është beqar. S’merrem me beqaret unë, ti e di
1. E di e di. I qëndron besnike traditës tende……. Ke ngrenë? Hidh se ka gjelle në tenxhere.
2. Jo jo, se hëngra jashtë. E di? Sapo hyra në godinë gjithë kati i parë mbante era presh. Duket ashiqare që kush rri në kat të parë, është studente e vitit të parë. Ka lezet ne katet e tjera ku rrinë studentët e viteve më të larta.
1. E po disa nga ato janë si ti. Kanë gjetur të dashur me lekë dhe gatuajnë gjëra të tjera.
2. E po nuk thonë kot që koha është flori. Kanë pasur kohë 1 vit e me shumë ta gjenin një burrë me lekë. Prit se po me bie telefoni. Qenka ky tjetri. Se dhe emrin ia harroj. Alo! Po zemër. S’ike në shtëpi ti sot. Të vij poshtë godinës d.m.th. Mire se po nisem……… Kujdes preshin në tenxhere ti. Ika shëndet!
Helidon Tahiraj/tiranaobserver/








