Sandri ka filluar të frikësohet nga mundësia e regjistrimit etnik dhe fetar në qeveri. Dje gjithë natën shikonte ëndrra dhe i dukej sikur ministrat nuk ishin shqiptarë, pastaj i dilnin të gjithë myslimanë, pastaj të gjithë nga Tropoja, pastaj i dilte gjumi nga frika. U përpoq të flinte dhe nisi të shohë sërish një ëndërr. E gjeti veten në mbledhje të grupit parlamentar të PD. Doktori, i mërzitur dhe i prerë në fytyrë, filloi të flasë. “Të dashur miq, kam një lajm të keq. Nuk na i liberalizojnë vizat. Nuk e di se ç’ndodhi, ç’ishte kjo, s’e kuptova, por një forcë madhore do ketë qenë. Disa thonë Hëna Blu, disa thonë eklipsi i diellit, unë nuk e di tamam, por di që dhe këtë korrik ne s’do kemi viza. Tani kemi dhe një problem tjetër. Këta grekët na thonë që, po nuk bëmë regjistrimin etnik dhe fetar, s’do kemi kurrë viza. Si t’ia bëjmë?”

I pari foli Pollo. “Unë them të bëjmë regjistrimin, – tha Pollo, – madje të japim shembullin të parët në qeveri. Unë, për shembull, jam grek. Gjyshi im ka kontribuar për lirinë e Greqisë, edhe pse në finale ëndrra e tij nuk u realizua dhe Epiri i Veriut i kaloi Shqipërisë. Por të gjitha faktet janë konkrete. Ai ka luftuar me armë në dorë kundër bandave patriotike të Epirit të Veriut të udhëhequra nga Sali Butka dhe myslimanë të tjerë antiortodoksë. Gjyshi im ka kontribut të shquar në vitet 1914-1919 dhe për këtë ne kemi pas marrë dhe medalje nga shteti grek, por babai e dogji gjatë kohës së komunizmit, se deshën ta përjashtonin nga partia.
Sandri s’po u besonte veshëve. Doktori i qeshur tundi kokën dhe i rrahu shpatullat.
- Kujdes, – i tha Spiro Kserës, – se u bëtë dy grekë tani, po të bie rëndësia.
- Jo, – tha Spiro, – nuk më bie mua në raport me atë. Se gjyshi i atij ka luftuar me lekë, d.m.th., ka qenë luftëtar i paguar, kurse gjyshi im ka luftuar vullnetarisht kundër Shqipërisë. Dhe në Greqi i respektojnë më shumë ata që luftojnë vullnetarisht.
Doktori qeshi i lehtësuar.
- Ka njeri tjetër? – tha
- Jam unë, – tha Mesila. – Më kanë bërë presion të distancohem nga burri im, se ai është nga Epiri i Jugut, por unë nuk distancohem kurrë, deri në vdekje prej tij. Në fillim kanë hapur fjalë që është çam dhe i pabesë, por unë ia ndërrova fenë, që të mos ia zinin më në gojë atë nofkë. Dhe për pabesi e kam verifikuar dhe më ka qëndruar gjithmonë besnik, pavarësisht ç’ka ndodhur. Kështu që ne si familje, edhe pse jemi me origjinë myslimane dhe burri nga Epiri i Jugut, jemi deklaruar katolikë dhe nga Veriu.
- Bravo, – i tha doktori. – Ka të tjerë që duan të deklarojnë identitetin?
- Më falni, – tha Myqerem Tafaj, – siç dihet, unë i përkas minoritetit maqedonas dhe natyrisht s’e kam fshehur kurrë këtë, s’kam pse e fsheh tani. Të parët e mi kanë bashkëpunuar me VMRO dhe janë familje me tradita të lashta në Gollobordë.
- Bravo, – i tha doktori. – Tjetër, kush do flasë?
- Unë, – tha Lul Basha me dorë gjysmë të ngritur.
- Po ti çne? – i tha doktori.
- Ti e di punën e gjyshes sime, – tha. – Është nisur vajzë e re më 28 nëntor 1931 nga Peja për në Shqipëri. Ka zbritur në Vuthaj. Pastaj unë nuk e di mirë se ç’ka ndodhur, por një herë më ka pas thënë se në dejtë e mi rrjedh gjak sllav. Të them të drejtën nuk e di tamam, por, po e kërkon çështja, unë jam gati të quhem dhe sllav. Tani ata po ecin para nesh drejt Bashkimit Evropian. Meqë dhe me Kosovën do takohemi në BE, nuk besoj se ka ndonjë gjë të keqe.
- Ulu, – i tha Berisha. – Po të na duhet, të kemi rezervë.
- Jam dhe unë nga qeveria – tha Petrit Vasili. – Ti e di, neve të Bregut të gjithë na thonë grekë. Dhe të dua unë të themi shqiptarë, s’më beson njeri. Kështu që më shëno dhe mua.
- Të kam Vasil, të kam, mos u shqetëso, – tha Berisha.
- Unë, – tha Ridvani, – kam ca kushërinj në Prespë, por shqiptarë janë. T’u them një herë atyre, po bëhet gjë për ndonjë letër, po s’besoj o byrazer.
- Ridvan rri, se ti na duhesh shqiptar.
Pastaj ngriti dorën Dritan Prifti.
- Unë, – tha, – jam vlleh nga Myzeqeja dhe neve të gjithë na thonë që jemi rumunë. Tani është kohë e mirë të jesh rumun, se është vend i BE. Prandaj e deklaroj pa asnjë problem shtetësinë time të re.
- Bravo, – i tha Berisha, – ulu, dhe sytë i shkuan nga Genc Ruli.
Ai uli sytë dhe u ngërdhesh.
- Unë s’kam ç’të bëj doktor, maksimumi mund të dal që kam lidhje e Kadri Hazbiun, por shqiptar jam.
- S’ka gjë Genc, dhe ashtu na duhesh, se vjen koha e grupeve armiqësore pas pak.
Tani nuk besoj se ka nevojë për më shumë, – tha. – Jam i kënaqur dhe me kaq. Mjafton të them që 35 për qind e qeverisë është pakicë kombëtare dhe jam i nderuar te fqinjët tanë.
Sandrit i doli gjumi nga makthi.
- Ç’bëhet kështu? – tha me vete. Si u kthjellua pak e kuptoi se u dashka të gjejë një lidhje që s’ka identitet shqiptar ose që nuk është katolik. Filloi të vriste mendjen, po zor se i kujtohej gjë. I vetmi shans është se këta grekët thonë që Kisha e Skënderbeut është Kisha greke. Zgjidhja mbetej t’i bënte një telefon atyre të kthimit të pronave, t’i bënin një praktikë për kthim prone, t’i jepnin pronë Kishën e vjetër të Lezhës dhe pastaj dilte që katragjyshi i tij ka qenë prift nga Greqia në Lezhë, por pastaj Skënderbeu e kishte kërcënuar dhe ai ishte bërë katolik. Kjo sikur e qetësoi pak, por s’guxonte t’ia thoshte njeriu./gazetatema/








