SMS Berishes që ta lironin nga burgu

Postuar ne 27 January 2010 nga admin

Vuajti 3 vite në qeli i pafajshëm, por mundi të lirohej vetëm pasi familja e tij i dërgoi sms kryeministrit duke shpjeguar skandalin. Edison Canaj, i arrestuar nën akuzën e tentativës së vrasjes së një polici mori pafajësi më 18 dhjetor të vitit të kaluar, por iu desh të qëndronte në qeli edhe një muaj më shumë, derisa të ekzekutohej vendimi i mbajtjes së tij në burg, natyrisht pas sensibilizimit të kryeministrit të vendit me anë të një sms-je në celular.

Lajmi është pohuar nga nëna e të burgosurit, e cila tregon se pasi kishte marrë përgjigje negative nga autoritetet e burgjeve dhe prokuroria për lirimin e të birit iu drejtua mediave dhe më pas, vetë zyrës së kryeministrisë me dy mesazhe celulari në numrat e ankesave për publikun. “Pasi ia sqarova në sms kryeministrit problemin tim, më mori në telefon një punonjës i kryeministrisë dhe më sqaroi se im bir do lirohej nga qelia, brenda dy ditësh”, -pohoi Lavdie Canaj duke shtuar se kështu kishte ngjarë në të vërtetë.

Editon Canaj, aktualisht 26 vjeç, banues në Yzberisht u prangos në vitin 2007, pasi akuzohej se së bashku me një person tjetër, bashkëmoshatar, të quajtur Martin Kuke kishin qëlluar me armë murin e shtëpisë të një oficeri policie të komisariatit numër dy të kryeqytetit.

Shkak për këtë, sipas policisë ishte fakti se oficeri kishte shoqëruar në komisariat Kuken. Në përfundim të procesit gjyqësor, Kuke dhe Canaj u gjetën fajtorë dhe u dënuan me nga 5 vjet burg secili, por Apeli e prishi çështjen për mos vlerësim provash dhe e riktheu sërish për rigjykim.

Pas kësaj Gjykata e Faktit i dha pafajësi Canajt më datë 18 dhjetor të vitit të kaluar, duke urdhëruar lirimin e tij nga qelia. Por autoritetet e Burgjeve, të detyruar nga prokuroria e mbajtën të riun në qeli duke argumentuar se ai para arrestimit kishte marrë një dënim me tre muaj burg për dezertim nga shërbimi ushtarak. Kështu që, sipas tyre ai duhet të vuante edhe këtë dënim me tre muaj burg dhe pastaj të lirohej.

Madje për këtë, edhe pse e kishte marrë dënimin para se të arrestohej, për Canajn nuk ekzistonte asnjë masë sigurie. Duke u nisur nga ky fakt organi i akuzës i kryeqytetit urdhëroi mbajtjen e tij në qeli, ndërsa pak ditë më vonë dërgoi në gjykatë kërkesën për vleftësim të masës së sigurisë, duke kërkuar mbajtjen edhe tre muaj në qeli të të riut.

Gjykata e pranoi kërkesën e prokurorisë duke vendosur Canajn sërish nën arrest. Tashmë pas lirimit të tij, Canaj pohon se do i drejtohet gjykatës për të përfituar dëmshpërblim për burgimin e padrejtë.

Postoje ne facebook:
  • Facebook

Ler nje koment

Ju lutemi perdorni fjalor brenda normave, ne te kundert komentet tuaja nuk do te shfaqen...

Advertise Here
Advertise Here

Reklama

Statistika