Zbardhet skema që futi “në grackë” policët rrugorë të Fierit. Një mesazh telefonik dërguar në numrin e telefonit të Kryeministrit Sali Berisha, ka çuar në nisjen e hetimeve, të cilat u finalizuan me arrestimin e nëntë efektivëve të sektorit të qarkullimit në Qarkun e Fierit.
Burimet nga grupi i hetimit, të cilët po merren me kopsitjen e dosjes së policëve të arrestuar, pohojnë për gazetën “Shqip” se denoncimi ka ardhur nga një banor i Fierit. Mësohet se ai ka pasur një përplasje me policët e qarkullimit dhe menjëherë pas kësaj, i ka nisur një mesazh telefonik Kryeministrit të vendit, ku e ka informuar për shqetësimin e tij. Menjëherë pas SMS-së së dërguar te Berisha, shqetësimi është bërë prezent pranë Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Çështja për hetim i është deleguar Sektorit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, i cili mësohet se ka vepruar gjatë hetimit së bashku me agjentët e SHKB-së së Fierit.
Hetimi ka nisur shtatë muaj më parë dhe është finalizuar javën e kaluar. Sipas grupit hetimor, gjatë kësaj periudhe kohore janë siguruar prova të pakundërshtueshme, nga të cilat asnjë nga efektivët e arrestuar apo dhe ata në ndjekje penale nuk mund të shpëtojë. Pamje filmike, fotografi duke marrë ryshfet deri dhe deklarata të regjistruara nga vetë policët e implikuar në këtë skandal abuzimi, janë siguruar nga grupi i hetimit. Edhe pse ndaj grupit të policëve rrugorë është zhvilluar seanca gjyqësore e vlerësimit të masës së sigurisë, sërish gjashtë prej tyre kanë mbetur në qeli. Tre prej tyre, të cilët i shpëtuan qelisë, janë në ndjekje penale në gjendje të lirë, së bashku me tetë policët e tjerë. Po ashtu, në ndjekje penale janë edhe 35 qytetarë, drejtues automjetesh, të cilët në kohë të ndryshme kanë kryer veprën penale të korrupsionit aktiv, duke u dhënë para këtyre rrugorëve në këmbim të mosndëshkimit administrativ për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Arrestimet janë bërë të mërkurën e kaluar, në ceremoninë e dhurimit të makinave të reja për këtë komisariat nga Ministria e Brendshme.
Të arrestuarit, bashkë me të hetuarit në gjendje të lirë, ishin rreshtuar për ceremoninë e dhurimit të 18 mjeteve të reja, kur emrat e tyre janë thirrur një nga një për të dalë veç. Në ato momente, kolegët u kanë vënë prangat për korrupsion. Kjo ka qenë dhurata e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm për ta në përvjetorin e policisë. Në pranga kanë përfunduar Arjan Xheka, Bardhosh Malaj, Flamur Derveni, Pëllumb Toro, Pëllumb Çepele, Vladimir Gjini, Leonard Brahimaj, Anesti Gjini dhe Ermir Gjonçe. Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe më shumë se një herë kanë kryer veprën penale të korrupsionit pasiv gjatë shërbimit përgjatë aksit rrugor Lushnjë-Fier-Vlorë, duke u marrë para drejtuesve të automjeteve në këmbim të mosndëshkimit administrativ për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Për të njëjtën akuzë, filluan hetimet në gjendje të lirë edhe për tetë punonjës të policisë rrugore në Komisariatin e Policisë Fier./shqip/











