Iku dhe 20 shkurti. Dita kur u hodh monumenti i Dullës dhe unë isha në grevë urie. Bëra gabim të madh që nuk shkova ta festoja tek zyrat e PD-së këtë ditë të shënuar…bashkë me ish-studentët që qanë për atë monument dhe tani janë deputetë. Kot nuk thonë që njerëzit i kuptojnë gabimet dhe reagojnë ndaj tyre. Vetëm unë mbeta pa reaguar ndaj gabimit.

Meshkujt e ëmbël dhe xhentilë
Më pëlqen shumë ky filmi “Titaniku”, ku ai djali pasi la atë vajzën në varkë, vetë u plevitos në ujë dhe iku pak një xhiro në fund të detit. Mesazhi regjisorial për meshkujt më duket se është ky: Mos u bëni xhentilë dhe të ëmbël me femrat, se pastaj ikni për molusqe në fund të detit dhe iu hanë peshqit!
Shoqatat mëmëdhetare
Pas deklaratës së Berluskonit që Italia mirëpret vetëm vajzat e bukura, kanë reaguar një grup shoqatash të grave në Itali …………………. Anëtarët e shoqatave mëmëdhetare, që lajmet se ç’bëhet në Shqipëri i shikojnë me satelit, më përpara janë anëtarësuar në grupin “Bëj si them unë e mos bej si bëj unë”, pasi shumica nga këto gra kanë emra shqiptarë por mbiemra italianë. Dita-ditës, shoqatat e tilla po rrisin numrin e anëtarëve të tyre.
Takimi Rama – Berisha
Mediat deklarojnë se takimi Rama – Berisha ka qenë shumë i qetë. ……Aq i qetë sa për këtë arsye takimet e ardhshme do blihen ekskluzivisht nga paketat sportive këtu, nëpërmjet një tenderi transparent. Cila nga paketat sportive fiton tenderin, do të transmetojë takimet e Rama – Berisha në vazhdim, në vend të ndeshjeve të boksit, karatesë, xhudos. Kështu paketat sportive dalin me fitim, pasi s’do harxhojnë lekë duke blerë ndeshje të boksierëve të mëdhenj.
Rrëshqitja e dheut
Rrëshqitja e dheut në disa zona të Shqipërisë rrezikon shtëpitë e shumë banorëve… Llafet që qarkullojnë, që të zotët e shtëpive kanë rrëshqitur më parë se shtëpitë e tyre, nuk janë të vërteta. Ata nuk kanë rrëshqitur aspak, pasi nuk e kishin fajin ata që ndërtuan ku të mundnin, por taksapaguesit që duhet të paguajnë për ta.
Pensionistët s’përballojnë çmimin e dritave… Ky është një lajm i shkëlqyer për ne pensionistët që dalim e shikojmë çiftet nga liqeni e s’duam veç dritën e hënës, deklaruan disa nga pensionistët. Kam vite që e pres këtë lajm, deklaroi për gazetën tonë një pensionist. Është një lajm pozitiv për mua që rri pas ferrave aty te liqeni dhe shikoj të rinjtë. Shpresoj që me rritjen e çmimit të dritave, andej nga liqeni të mos ketë ndriçim fare./Helidon Tahiraj/











