Janë 50 vjeç, por kanë pamjen e 30-vjeçareve. Mbi të gjitha kanë një dëshirë të çmendur për jetën. Por edhe gjëra të tjera kanë rëndësi si për shembull mënyra e të ushqyerit, ilaçet, sporti apo edhe ndërhyrjet kirurgjikale. Por të parat, ato që arrijnë që të mbajnë gjallë një njeri dhe mbi të gjitha të bukur dhe në formë janë zemra dhe mendja.

Nuk bëhet fjalë vetëm për artiste e aktore që ndoshta ia kanë ngenë dhe mundësitë që të duken të bukura, të freskëta dhe të reja. Në fakt, në të gjithë botën perëndimore duket se për gratë e moshës 50 mosha ka ndalur në vend dhe vitet nuk bëjnë më përpara dhe mosha e vërtetë po fshihet gjithnjë e më shumë pas fytyrave e trupave që nuk e tregojnë më. Avanguarda e këtij ndryshimi janë gratë 50-vjeçare ndër të cilat mund të citojmë ato që njihen botërisht si Kondoleca Rajs, Meryl Streep, Sharon Stone e të tjera. Por gjithsesi, bëhet fjalë për një fenomen shumë më të shtrirë në të cilin përfshihen gratë dhe burrat, një fenomen që po ndikon në një reformim të vetë shoqërisë. Sipas vëzhgimeve e studimeve, çdo vit fitojmë 3 muaj jetë shtesë, jemi më të bukur dhe më të shëndetshëm se brezat e mëparshëm. Shtatëdhjetëvjeçarët e sotëm jetojnë si 50-vjeçarët e dikurshëm, ndërsa këta të fundit sillen e mendojnë si të ishin 35-40 vjeç. Po cilat janë shkaqet e kësaj situate?
Pa dyshim lehtësimi i kushteve të jetesës, reduktimi në minimum i punëve të rëndomta e të lodhshme veçanërisht për femrën, një mënyrë shumë më e shëndetshme e të ushqyerit, shtim i aktivitetit fizik dhe përdorim gjithnjë e më i pakët i ilaçeve. Aktualisht jetojmë në një epokë që për nga cilësia e jetës nuk ka të krahasuar me vite më parë. Por ana tjetër e medaljes së kësaj zgjatjeje të moshës është se kur njerëzit u afrohen të 90-ve atëherë nis vështirësia e vërtetë.
Por ato që kanë bërë ndryshimin dhe përcaktimin e një epoke të re janë 50-vjeçaret. Pa u tërhequr kurrë, ky brez është i bindur se sapo ka filluar një tjetër periudhë të jetës që mund të zgjasë pa frikë edhe 30 vjet të tjerë. Dhe ato janë të vendosura në një moshë kur për të gjitha gratë përfundimi i menopauzës përbënte edhe perëndimin e jetës dhe mbi të gjitha të jetës seksuale dhe asaj sentimentale. Dhe sigurisht që nuk bëhet fjalë vetëm për fenomene si Madona, apo Xhuliane Mur, por për shumë gra që deklarojnë se tani, në moshën 50 vjeç ndihen më të lumtura dhe më të plotësuara se kurrë, në të gjitha pikëpamjet. Një nga karakteristikat e kësaj moshe është se familja tashmë krijohet shumë më vonë se dhjetëvjeçarë më parë që do të thotë se fëmijët vijnë për të gjithë në një moshë më të madhe dhe më pas prania e tyre i shtrëngon prindërit që të vazhdojnë të jenë të rinj për të luajtur dhe qëndruar me ta në mënyrë të natyrshme si të ishin në një moshë shumë më të re. Është ky një fenomen që po përfshin gjithnjë e më shumë meshkujt, që martohen shumë vonë e që ndoshta bëhen baballarë për herë të parë pasi i kanë kaluar të 45-at. Në këto rrethana ata sillen me fëmijët si të ishin 30 vjeç. E njëjta gjë ndodh edhe me nënat. Mund të konsiderohet pa frikë një revolucion i moshës që sipas ekspertëve merr edhe emërtimin “revolucioni i dytë seksual”. Njerëzit jetojnë të lumtur në një epokë kur falë ndihmës së shkencës harrojmë përditë e më tepër datën e lindjes dhe i përshtatemi realitetit në bazë të fuqive që kemi e jo të moshës. Në këtë kuadër mund të përmendim përveç ushqimit e jetës më të mirë edhe shfaqjen e medikamenteve të tilla si viagra që e ka zgjatur moshën dhe cilësinë e aktivitetit seksual të mashkullit. Ndërkohë, edhe femrat përdorin disa hape hormonale që së bashku me viagrën kanë zgjeruar dukshëm kufijtë e dashurisë. Një mashkull i moshës 50 vjeç, zakonisht nuk ka nevojë për këto hape për të përjetuar seksualitetin e tij, por ai e di se nëse do ta përdorte viagrën, atëherë fuqia e tij do të ishte e njëjtë me atë të një 30-vjeçari. Edhe gratë mund ta zgjasin më shumë se në të shkuarën fundin e periudhës së fertilitetit duke pasur parasysh edhe ruajtjen nga efektet anësore. Kjo mënyrë e re e jetesës dhe ndihma e medikamenteve për të zgjatur dhe përmirësuar seksualitetin përbëjnë një ndryshim thelbësor. Vitet nuk janë gjithmonë një problem dhe kjo dukje dhe fuqi e re ndihmon edhe në ndryshimin e raporteve shoqërore, profesionale dhe sociale. Por thelbësor në këtë drejtim është stili i jetesës. Kështu, sipas një numri të madh specialistësh të dietologjisë, të qenët i dobët dhe në peshë të vogël është një garanci për jetëgjatësinë e njeriut. Por ndërkohë, sfida e vërtetë e këtyre ndryshimeve, sipas edhe “50-vjeçareve të arta” është të arrish ta gëzosh jetën në të gjitha dimensionet e mundshme, edhe në atë të maturisë e prag pleqërisë së tejzgjatur. Sipas një feministeje të famshme, një grua e pjekur nuk është e nevojshme që të fshihet pas veshjeve e sjelljeve të një vajze të re për të vazhduar të jetë në qendër të vëmendjes. Një grua e pjekur, ndryshe nga sa mund të mendojnë disa, kur do të sillet dhe të përfitojë nga përvoja, që është arma më e rëndësishme, mund të jetë po aq në qendër të vëmendjes sa edhe një 18-vjeçare. Megjithatë, për sa u përket grave, ato nuk plaken kurrë, sepse janë aktive. Le të marrim për shembull një 50-vjeçare që ka një djalë 10 vjeç. Ndoshta në mëngjes ajo do ta ndiejë pak moshën kur të përballet me pasqyrën, por më pas, gjatë ditës kur të çojë të birin në shkollë, do ta kuptojë që do t’i burojnë pa fund energjitë, sepse është nëna e një fëmije të vogël që ka nevojë për përkujdesje. Dhe kjo grua do të ndihet shumë më e re nga mosha që ka në të vërtetë. Kjo do ta ndihmojë edhe në sferën profesionale ku personat në të 50-at që janë sigurisht të kualifikuar e me eksperiencë janë shumë të kërkuar. Kjo grua do të duhet që për hir të mashkullit që ka në krah e shoqeve të tij të ndihet e re dhe energjike. Por në fund të ditës, të kësaj dite gjatë së cilës ka dhënë shumë, mund të ndihet e vdekur kur të verë kokën mbi jastëk. Por …dhe gjithmonë ka një por, kjo moshë ka edhe hijet e saj dhe ajo më e madhja është diktatura e trupit. Mund të shtysh limitet e fekonditetit dhe të potencës seksuale, por në këtë luftë për të vazhduar me rininë shumëkush bëhet pre e kirurgjisë plastike dhe e metodave të tjera. Një shpirt mund të vazhdojë të qëndrojë i ri, por trupi bën të vetën dhe për më tepër fytyra. Ndaj një nga marrëzitë dhe çmenduritë e kohës sonë është nënshtrimi ndaj operacioneve të ndryshme për t’u dukur pa rrudha, me mollëza të ngritura, me gjoksin e një 20-vjeçareje dhe me buzë të gufuara në maksimum. Për shumë gra që ende mendojnë se bukuria dhe freskia janë gjithçka ekziston tmerri i daljes nga “tregu” i të qenit të dëshiruara, ndërkohë që mund të kenë qenë pjesë e tij për një kohë të gjatë. Për t’u dukur të reja për një kohë sa më të gjatë, shumë vajza të reja mendojnë se po t’u nënshtrohen hershëm operacioneve plastike, do të kenë më shumë mundësi që të duken mirë në moshë më të avancuar. Por ka edhe nga ato 50-vjeçare që janë krenare për rrudhat që mund të kenë duke i cilësuar si “margaritarë” të mençurisë dhe përvojës, të cilat nuk mund të blihen nga një vajzë e re. Ja çfarë thotë sot një nga 50-vjeçaret më simbol të këtij ndryshimi aktorja Sharon Stone. Ajo ka kaluar një sëmundje shumë të rëndë, një divorc, është mamaja e një fëmije të adoptuar. “Jam shumë mirë me 51 vitet e mia mbi supe. Jam e bindur që për 40, 50 vjet gratë do të kenë shumë më tepër dhe në cilësi më të mirë. Gjithçka do të vijë duke u përmirësuar madje edhe ideja e të jetuarit të moshës e kalimit të viteve pa komplekset e rrudhave dhe trupit që shëndoshet vazhdimisht”.
Ndoshta ajo ka të drejtë, por për momentin bota e grave në të 50-at në Perëndim është shumë e populluar dhe madje me ndikim edhe te rregullat e botës së pushtetit tradicionalisht mashkullor. Meshkujt po përballen me një univers të ri të marrëdhënieve në çift. Familjet formohen më vonë, bashkëjetesa vazhdon më gjatë dhe shumë veta përballen me të qenit prindër në një fazë më të vonshme. Pikërisht të gjitha këto ndryshime për të mos folur për karrierat e grave krijojnë në çift barazi dhe respekt. Zgjatja e jetës i ka ndryshuar edhe stinët e saj, por nëse gjithnjë e më shumë “mosha” e dukjes po e superon atë të certifikatës së lindjes kjo vjen falë e mbi të gjitha faktit që koka dhe zemra vazhdojnë të mbeten të reja.












February 4th, 2010 at 1:08 am
ktej eshte industri me vete Milf Scenes… megjithse shumica jane fallco, te ‘ngopura’ nga jeta, plastike ne cdo sens, femrat ne moshe te madhe jane kthyer ne subkulture seksuale ne perendim.