Një familje turke varrosi të gjallë vajzën 16-vjeçare, sepse takohej me meshkuj. Vajza 16-vjeçare u varros e gjallë në oborrin e shtëpisë së familjes së saj, në qytetin turk Kahta, familja në këtë mënyrë mendonte ta ruante nderin. Familja e akuzonte atë se po takohej me meshkuj, njofton agjencia turke Anatolia.

“Medine Memi u gjet e ulur, brenda një grope rreth dy metra të thellë. Përmes analizave u konstatua se në mushkri dhe bark kishte dhe, gjë që tregon se ajo ishte e varrosur e gjallë”, i tha agjencisë turke, mjeku që e kreu autopsinë e saj.
“Vajza e re i kishte duart e lidhura dhe ishte e gjallë dhe e vetëdijshme në momentin kur u krye ky krim i tmerrshëm”, sqaroi tutje mjeku, i cili punon në Institutin për Mjekësi Ligjore në Matalia, në juglindje të Turqisë, ku kryesisht jetojnë kurdët. Krimi është kryer në vendin e afërm Kahta, ndërkaq trupi i vajzës është gjetur në oborrin e shtëpisë familjare në muajin dhjetor, disa muaj pasi që vajza ishte shpallur e zhdukur nga anëtarët e familjes.
Babai dhe gjyshi i saj janë arrestuar, dhe ata po mbrohen në heshtje, njoftoi Anatolia.
Qeveria e Turqisë dhe shoqatat e ndryshme joqeveritare kanë intensifikuar përpjekjet viteve të fundit për të çrrënjosur krimet “e nderit”. Hulumtimet e opinionit publik tregojnë se ky lloj krimi është toleruar nëpër zonat ku kryesisht jetojnë kurdët, prandaj kjo dukuri edhe është më e përhapura nëpër ato zona.
Nën presionin e BE, Turqia tashmë ka ashpërsuar dënimet për kryesit e krimeve “të nderit”, kështu që ata tani përballen me burg të përjetshëm.











