Me që shumica e vizitorëve të këtij blogu janë nga Kosova, nuk mund te rrinim pa ju uruar këtë festë të shënuar.
Kanë kaluar ekzaktësisht dy vjet që kur Kosova shpalli pavarësinë dhe po përgatitet të ndezë qirinjtë e tortës së pavarësisë. Në Prishtinë dhe në të gjithë vendin të cilin tashmë e kanë njohur 65 vende nga e gjithë bota, kanë nisur përgatitjet për festim. Që nga ditëlindja e parë, më 17 shkurt të vitit 2009, Kosova është përballur me një mori sfidash, në përpjekjet e saj për të ndërtuar një shtet sa më progresist. Dy vjet më parë pavarësia krijoi një valë kënaqësie dhe realizimin e ëndrrës shekullore të kosovarëve që më në fund panë të lirë vendin e tyre. Por çfarë ka ndodhur gjatë vitit të kaluar në Kosovë. Vizita e nënpresidentit amerikan, Xho Bajden, ajo e ish-presidentit amerikan, Bill Klinton, anëtarësimi i vendit në FMN dhe në Bankën Botërore, nënshkrimi i protokollit të EULEX-it me Serbinë dhe zgjedhjet vendore, janë vetëm disa nga ngjarjet që shënuan 2009-ën.

Çfarë ndodhi në 2009?
Në fakt, kjo tërësia territoriale e Kosovës do të sfidohej pikërisht në përvjetorin e parë të shtetit të ri, nga i ashtuquajturi Kuvend i komunave serbe, me miratimin e një deklarate, për ta shpallur, siç thuhej, “pavarësinë e Kosovës si të pavlefshme. Por, të gjitha këto sfida filluan të duken më të zbehta, në çastin kur në aeroportin e Prishtinës, më 21 maj, zbriti zëvendëspresidenti amerikan, Xhozef Bajden. Gjatë vizitës së cilësuar si historike, ai është pritur si hero, në një atmosferë festive, me rrugë të stolisura me mbishkrime mikpritjeje e flamuj amerikanë. Gjatë fjalimit të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, nënpresidenti amerikan pati thënë se tani të gjithë mund të binden se pavarësia ishte dhe mbetet zgjidhja e vetme. Ajo do të shënojë edhe fillimin e një periudhe më sfiduese për institucionet vendëse dhe ndërkombëtare, në shtrirjen e autoritetit në veri të vendit. Si e tillë do të përmendej edhe në përvjetorin e dhjetë të sulmeve ajrore të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë
Anëtarësimi në Bankën Botërore
Pak më shumë se dy javë pas kësaj vizite, më saktësisht më 4 qershor, Kosova merr konfirmimin zyrtar për anëtarësimin e saj në Bankën Botërore. Më 9 maj, kishte marrë të njëjtin konfirmim për Fondin Monetar Ndërkombëtar. Anëtarësimi i saj në këto dy institucione prestigjioze do të zyrtarizohej më 29 qershor, gjatë një ceremonie në Departamentin Amerikan të Shtetit. Muajt korrik dhe gusht kalojnë në frymën e debateve për protokollet, që misioni evropian për sundimin e ligjit paralajmëron t’i nënshkruajë me Serbinë. Shefi i këtij misioni, Iv de Kermabon, përpiqej t’i bindte udhëheheqësit kosovarë se protokolli është në të mirën e tyre.
Ramush Haradinaj, lideri i AAK-së
“Dyvjetori i pavarësisë së Kosovës,e gjen vendin përballë sfidave të mëdha. Pavarësia nuk po kthehet mbrapa, por shtet-bërja është në sfidë. Ne besojmë shumë se do të dalim nga gjendja e tanishme. Dhe mendojmë se është momenti që të japim drejtim vendit. Besojmë se çdo dit që vonohemi me i dhënë drejtim vendit, ne po paguajmë një çmim të madh si Kosovë dhe si qytetar të Kosovës”.
Atmosfera në Prishtinë
Prishtina dhe gjithë Kosova janë bërë gati të festojnë dy-vjetorin e pavarësisë. Atmosfera ka filluar të ndihet në kryeqytetin e shtetit më të ri të Ballkanit që në fillim të kësaj jave, ndërsa dita e nesërme do të jetë e mbushur me aktivitete të shumta. Festa e pavarësisë së Kosovës nuk do të jetë e përqendruar vetëm në Prishtinë, por edhe në Shkup e Tiranë, ku do të mbahen aktivitete të ndryshme. Aktualisht, shtetin më të ri në ballkan e kanë njohur 65 vende.
Thaçi në dyvjetorin e pavarësisë
“Kjo periudhë ka qenë periudha e vendimeve historike për vendin tonë, e shpalljes së pavarësisë, e konsolidimit të shtetit, e vënies së ligjshmërisë, e angazhimeve të gjithanshme në kuptimin edhe të reformave, qoftë në politikë qoftë në ekonomi, qoftë në legjislacion, si dhe periudhë e perspektivës evropiane. Kosova ka përfituar 65 njohje të fuqishme ndërkombëtare. Është anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Gjithashtu, jemi në prag të anëtarësimit edhe në Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim Evropian. Ndër sfidat kryesore me të cilat përballet shteti i ri i Kosovës është kontrolli në pjesën veriore, me shumicë serbe, por edhe fenomeni si korrupsioni apo krimi i organizuar”.
Urimi i presidentit Topi
”Me rastin e përvjetorit të dytë të Ditës së Pavarësisë, kam nderin dhe kënaqësinë e madhe që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju dërgoj Juve dhe gjithë popullit të Kosovës, urimet më të ngrohta dhe më miqësore! Kjo ditë e gëzueshme për Kosovën dhe gjithë shqiptarët, më jep rastin të rikonfirmoj vullnetin maksimal për vazhdimësinë dhe forcimin e lidhjeve të forta dhe qëndrueshme, shumëplanëshe, që ekzistojnë midis dy vendeve tona, si dhe t’ju siguroj se Shqipëria do të vazhdojë angazhimin e saj në mbështetje të njohjes së mëtejshme ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe realizimit të aspiratës euroatlantike.Dëshiroj të nënvizoj me kënaqësi vlerësimin e lartë ndaj hapave të shpejtë e të sigurt të vendit tuaj në drejtim të konsolidimit të politikave të brendshme”./TO/











