Rregullorja, brenda datës 19 shkurt në të gjitha shkollat e vendit shpërndahet formulari A1Fatmir Vejsiu:
Formulari A1, nuk ka asnjë ndryshim nga formulari i maturës shtetërore 2009
MASH ka publikuar dje rregulloren e maturës shtetërore për vitin 2010. Ashtu si e kishte bërë publike pak ditë më parë vetë ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, matura e këtij viti nuk ka ndryshime.

Është e njëjta rregullore që është përdorur gjatë maturës, shtetërore 2009. Kështu edhe për këtë vit datat e provimeve të maturës do të caktohen nga Ministri i Arsimit dhe i Shkencës.
Tafaj, pak ditë më parë deklaroi se do të kujdeset që maturantët këtë vit do të përfundojnë provimet brenda muajit qershor. Provimet e detyruara të Maturës do t’i japë çdo nxënës që ka përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme dhe ka plotësuar formularin përkatës.
Çdo maturant mbetës në provimet e detyruara ( D1 dhe D2) ka të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë (të vjeshtës), por nuk ka të drejtë të konkurrojë për programet e studimit në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik. Rezultatet e secilit provim të maturës nuk do t’u heqin mundësinë maturantëve për të hyrë në provimet e tjera.
Për ata kandidatë që duan të ndjekin studimet në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve, ose të frekuentojnë programet e studimit të Edukimit Fizik në Universitetet “Luigj Gurakuqi” Shkodër, e “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, nuk është e detyruar dhënia e provimet me zgjedhje. Këta maturantë thjeshtë duhet të plotësojnë formularët përkatës.
Formulari A1
Sipas rregullores, formularët A1 dhe A1z, tashmë, janë miratuar nga ministria dhe brenda datës 19 shkurt do të jenë shpërndarë në të gjitha shkollat ose ndryshe në të gjitha Komisionet Shkollore të Maturës Shtetërore.
Drejtori i Arsimit Parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu, thotë se formulari A1, për maturën shtetërore 2010, nuk ka asnjë ndryshim nga formulari i një viti më parë. Janë po të njëjtët elementë, që përmbante formulari A1, i maturës 2009.
Pas kësaj, çdo maturant pavarësisht nëse jep apo jo provimet e lëndëve me zgjedhje, duhet të plotësojë dhe të dorëzojë formularin A1 dhe A1Z pranë komisioneve shkollore të maturës shtetërore. Kjo procedurë duhet të përfundojë brenda datës dhjetë mars.
Gjatë periudhës 11 deri më 24 mars, komisionet shkollore përpilojnë tabelën përmbledhëse në bazë të formularëve të dorëzuar. Kjo tabelë duhet të dorëzohet në DAR/ZA brenda datës 25 mars.
Më pas KSHMSH, afishon tabelën në shkollë dhe pret vërejtjet, ndryshimet dhe rregullimet e mundshme nga maturantët. Vërejtjet dhe ndryshimet më pas i dërgon në AVA brenda datës 15 prill. Formularët A1 dhe A1z qëndrojnë në DAR/ZA. Komisionet e Maturës Shtetërore të DAR-ve dhe ZA-ve hartojnë mbi këtë bazë listat e plota me të dhënat e të gjithë maturantëve, të cilat i dërgojnë në AVA, brenda datës 31 Mars.
Formulari A2
Brenda datës 30 qershor, MASH miraton formularin A2 të personalizuar, me kërkesën për notën mesatare dhe preferencën e programeve të studimit të shpallura nga Institutet e Arsimit të Lartë Publik. Kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në IALP duhet të plotësojnë formularin A2, brenda datës 30 korrik dhe ta dorëzojnë atë pranë KSHMSh. Kjo ndodh pasi maturanti është njohur paraprakisht me të gjitha rezultatet e provimeve të Maturës.
Formularin A2 nuk kanë të drejtë ta plotësojnë ata maturantë që rezultojnë mbetës në një nga provimet e detyruara ose me zgjedhje të maturës. Shpërndarja e Formularit A2 në DAR/ZA do të bëhet nga APRIAL në datën 20 korrik. KMSH-ja e DAR/ZA ja shpërndan KSHMSh të shkollave në datën 21 korrik. Maturantët do të marrin Formularin A2 më 22 korrik dhe e dorëzojnë atë në më 28 korrik.
KSHMSh e shkollës i dorëzon Formularët A2 pranë KMSh të DAR/ZA më 29 korrik. KMSh-ja e DAR/ZA, pasi bën verifikimet përkatëse, i dërgon formularët, të ndarë sipas shkollave, së bashku me tabelat e regjistrimeve, zyrtarisht me shkresë përcjellëse në APRIAL, brenda datës 31 Korrik 2010.
Maturantët me dëftesë pjekurie, japin dy provime me zgjedhje
Të gjithë ata kandidatë që kanë kryer shkollën e mesme para vitit shkollor 2005-2006, kanë marrë Dëftesë Pjekurie dhe dëshirojnë të vazhdojnë studimet në IALP, do të japin dy provimet me zgjedhje.
Regjistrimi për provimet me zgjedhje do të bëhet: në shkollat ku këta persona kanë kryer shkollën e mesme; në Komisionet e Maturës Shtetërore të DAR-it apo ZA-së, ku ka figuruar shkolla e mesme, nëse shkolla e mesme apo profili i shkollës së mesme që kanë kryer është mbyllur.
Dokumentet që këta kandidatë duhet të paraqesin janë: vërtetimi që ka mbaruar shkollën e mesme, i shoqëruar me notat e 4 (katër) ose 5 (pesë) viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës përkatëse, bazuar në regjistrin themelor (amza); një kopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë; një kopje të noterizuar të dokumentit të identifikimit pasaportë ose kartë identiteti si dhe kërkesën me shkrim për dhënien e provimit me zgjedhje.
Më tej, KMSH i DAR-it apo ZA-së cakton shkollën e mesme ku këta persona do të plotësojnë formularët përkatës dhe do të japin provimet me zgjedhje. KMSh përcakton në bazë të dokumenteve të paraqitura, notën mesatare të viteve të shkollimit si edhe notat e provimeve të detyruara D1 e D2 dhe ia përcjell ato zyrtarisht shkollës.
Kandidatët që nuk kanë dëftesë pjekurie, jep provimet e detyruara dhe me zgjedhje
Çdo maturant që ka mbaruar shkollën e mesme para vitit shkollor 2005-2006, por nuk ka marrë dëftesën e pjekurisë, jep provime të detyruara dhe me zgjedhje.
Ata plotësojnë dhe dorëzojnë Formularin A1z në shkollën që cakton KMSh i DAR/ZA-së përkatëse, pasi ka paraqitur tek ato: vërtetimin që ka mbaruar shkollën e mesme, të shoqëruar me notat e katër ose pesë, viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës përkatëse, bazuar në regjistrin themelor (amza); një kopje të noterizuar të dokumentit të identifikimit pasaportë ose kartë identiteti, si dhe kërkesën me shkrim për dhënien e provimeve.
Kandidatët që kanë dhënë provimet e detyruara duhet të japin edhe provimet me zgjedhje
Të gjithë maturantët që në vitet shkollore 2005-2006; 2006-2007; 2007-2008 dhe 2008 – 2009 kanë dhënë vetëm provimet e detyruara, për të ndjekur studimet në institucionet e arsimit të lartë publik këtë vit, duhet të japin provimet me zgjedhje, në shkollat e mesme ku kanë dhënë provimet e detyruara.
Për këtë ata duhet të bëjnë kërkesë pranë KMSH të DAR/ZA përkatëse, duke paraqitur Dëftesën origjinale të Pjekurisë. Nga ky rregull përjashtohen kandidatët që duan të vazhdojnë studimet në Akademinë e Arteve, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve, në programin e studimit të Edukimit Fizik në Universitetet “Luigj Gurakuqi” Shkodër e “Aleksandër Xhuvani” Elbasan.
Kandidatët që duan të rijapin provimet me zgjedhje
Të gjithë ata ka kandidatë që kanë përfunduar shkollën e mesme gjatë viteve 2005-2006; 2006-2007; 2007-2008 dhe 2008 – 2009 dhe kanë dhënë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore, por nuk janë shpallur fitues ose nuk janë regjistruar në asnjë nga programet e studimit të IALP, këtë vit nuk janë të detyruar të rijapin provimet me zgjedhje. Një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm në rastet kur e kërkojnë vetë kandidatët.
Dhe në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë për këtë lëndë merret koeficienti që ka këtë vit.
Në rastin kur kandidati kërkon të rijapë provimet, duhet të bëjë një kërkesë pranë KMSh të DAR/ZA përkatëse, duke paraqitur Dëftesën origjinale të Pjekurisë dhe mandat-pagesën e një tarife, e cila do të publikohet më vonë nga MASH, ndërsa ata kandidatë që në vitet shkollore 2005-2006; 2006-2007; 2007-2008 dhe 2008-2009 kanë dhënë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë regjistruar në asnjë nga programet e studimit të IALP, rezultatet e arritura në provimet me zgjedhje në një vit shkollor ruhen (konsiderohen të vlefshme) edhe në vitet në vazhdim, edhe në rastin kur kandidati ka marrë vlerësim kalues vetëm në njërin nga provimet me zgjedhje (përveç rasteve kur personi kërkon ta rijapë lëndën).
Në rast se një kandidat e ka dhënë më shumë se njëherë një lëndë të caktuar në provimet me zgjedhje dhe kërkon t’i njihet rezultati i saj, do t’i njihet rezultati i arritur në vitin e fundit kur e ka dhënë lëndën.
Kandidatët që kanë kryer shkollën e mesme jashtë shtetit, të drejtë studimi në Shqipëri
Nxënësit shqiptarë që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit, kanë të drejtë të vazhdojnë studimet e larta në Republikën e Shqipërisë.
Kushti i vetëm që duhet të plotësojnë është zotërimi i gjuhës shqipe në një nivel të pranueshëm për të vijuar studimet universitare. Kjo do të vërtetohet nëpërmjet dëshmisë së provimit që zhvillohet mbi bazën e programit për të huajt pranë Fakultetit të Filologjisë, në Universitetin e Tiranës.
Shtetasit shqiptarë që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit dhe që nuk kanë dhënë provimet ekuivalente me Maturën Shtetërore, për t’u pranuar në IALP, duhet të japin Matematikën dhe Gjuhën Shqipe & Letërsinë, ose një nga gjuhët e huaja të menysë së lëndëve me zgjedhje, e konceptuar sipas standardit të testit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë (provimet me detyrim D1 dhe D2). Për të shqyrtuar kërkesat e kësaj kategorie kandidatësh ngrihet një Komisioni të posaçëm.
Pranë këtij komisioni, kandidatët duhet të kenë këto dokumente: kërkesën me shkrim për të vazhduar studimet në një universitet në Shqipëri; dëftesën origjinale së bashku me listën e notave të shkollës së mesme, të përkthyera si dhe pasaportën ose kartën e identitetit. Këto dokumente duhet të dorëzohen gjatë periudhës 1-15 prill 2010.
13 Shkurt – Ngrihet Komisioni Shkollor i Maturës Shtetërore, i përbërë nga 3-5 anëtarë.
15 Shkurt – MASH miratoi Formularët A1 dhe A1z (të dhënat e nxënësit / kandidatit dhe kërkesat e tij për provimet e lëndëve me zgjedhje), si edhe udhëzuesit e formularëve A1, A1z.
10 Mars – Çdo nxënës në vitin e fundit të shkollës së mesme, pavarësisht nëse jep apo jo provimin me zgjedhje, plotëson dhe dorëzon formularin A1 në KSHMSH-në e shkollës ku ai mëson, brenda datës së mësipërme.
10 Mars – Çdo kandidat plotëson dhe dorëzon brenda këtij afati formularin A1z në KSHMSH-në e shkollës ku ai caktohet.
30 Qershor – MASH-i ka miratuar Formularin A2 (të dhënat e nxënësve që kanë marrë provimet e detyruara, me notën mesatare dhe përzgjedhjen e degëve të shkollave të larta ku dëshiron të studiojë), si edhe udhëzuesin e formularit A2.
28 Korrik – Kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta, duhet të plotësojnë edhe formularin A2 brenda datës së mësipërme dhe ta dorëzojnë atë në Komisionin Shkollor të Maturës Shtetërore./shekulli/











