Tre ish-armiqtë e mëdhenj që tani janë bërë miq, Sali Berisha, Fatos Nano dhe Ilir Meta janë takuar mes përqafimesh, shtrëngimeve të duarve dhe batutave, si miq të vjetër që kishin kohë pa u parë me njëri-tjetrin. Ky takim ka ndodhur gjatë festës për dy vjetorin e pavarësisë së Kosovës organizuar në “Sheraton” nga ambasada kosovare në Tiranë. Takimi i tre elefantëve të politikës ka tërhequr vëmendjen e tërë të ftuarve, sidomos të foto-reporterëve.
Batutat
Ka qenë kryeministri Berisha ai i cili ka nisur batutën e parë, ku duke shtrënguar duart me Fatos Nanon, iu është drejtuar foto-reporterëve që: e bëtë foton? Nëse jo, ia jap sërish dorën Fatosit. Më pas ka qenë radha e ish-kryeministrit Nano për të bërë batuta. Ky i fundit njihet për batutat e tij të famshme që kanë brenda jo vetëm humor, por edhe politikë. Nano duke buzëqeshur iu është drejtuar Berishës dhe Metës: Do ta zgjidhni krizën ju të dy? Apo do ta zgjidhim të tre bashkë. Pas kësaj batute pjesëmarrësit kanë buzëqeshur të gjithë. Dhe si për ti vënë kapakun këtij takimi miqësor, Ilir Meta iu ka thirrur kamerierëve që tu sillnin nga një gotë shampanjë për ta bërë gëzuar me Berishën dhe Nanon. Më tej Nano dhe Meta në momentin e takimit të tyre kanë shkëmbyer batuta si ajo që i pari i ka pohuar të dytit se tani nuk është më në qeveri dhe as kryeministër etj.
Të përbashkëtat
Sali Berisha, Ilir Meta dhe Fatos Nano kanë qenë kundërshtarë të flaktë me njëri-tjetrin. Ata kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ndër protagonistët më kryesorë të këtyre 20 viteve të fundit, duke pasur përplasje të ashpra me njëri-tjetrin. Por pas 2005-ës, problemet mes tyre kanë ardhur duke u fashitur, madje duke arritur që edhe të bëhen miq me njëri-tjetrin, ku armiku i tyre kryesor tani është bërë kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili nuk lë rast pa sulmuar Berishën, Nanon dhe Metën./TO/












