Tag Archive | "Pit-Zholi"

Tags: ,

Pit-Zholi, fundi i një reklame?

Posted on 26 January 2010 by admin

Kanë qenë për shumë kohë çifti më i famshëm i Hollivudit, nga ato përzierjet e bukurisë, famës, suksesit dhe parave. Por jo rrallë i kanë cilësuar edhe si çifti më fals në botë, si persona që shtiren vetëm për t’i bërë reklamë vetes.

Anxhelina Zholi dhe Bred Pit thuhet, sepse ende nuk është e konfirmuar zyrtarisht, që janë në ndarje e sipër. Kjo pas 5 vitesh së bashku, duke pasur 6 fëmijë nën përkujdesje dhe shumë pasuri, mes të cilave edhe 9 shtëpi në pika të ndryshme të globit. Për disa ky është lajmi që pritej prej kohësh, sepse një lidhje e tillë tepër e bukur për të qenë e vërtetë nuk mund të zgjasë në pafundësi. Por, edhe sepse mënyra se si ata u bënë çift erdhi përmes prishjes së lumturisë së një tjetër personi, ish-bashkëshortes së Pit, Xhenifer Aniston, apo mënyra e nxituar për të shtuar sa më shumë fëmijë të adoptuar në familjen e tyre, në të cilën vetëm 3 janë fëmijë biologjikë të çiftit. Ka edhe nga ata që kishin vënë bast se një ditë ky cirkus i stërmadh do të përfundonte shumë shpejt. Me takimin dhe shkrirjen e të dyve në një çift lindi edhe marka “Brangelina”, që u përdor gjatë gjithë këtyre viteve si sintezë e çiftit më të pasur dhe më të fuqishëm të Hollivudit. Ata të dy u takuan në sheshxhirimin e filmit “Zoti dhe zonja Smith”, ndërkohë që Pit ishte i martuar me Aniston, një grua diametralisht e kundërta e Anxhelinës. Aniston, ylli i serialit komik “Friends”, është edhe një nga aktoret më të famshme dhe të pasura të Hollividit, gjithashtu. Ajo është një person diellor, i qeshur, i drejtpërdrejtë, pak a shumë vajza e derës përballë që mund ta takosh në çdo lagje e mëhallë. Ndërsa Anxhelina, nga ana tjetër, është femra fatale, e rrezikshme dhe e bukur, me një bukuri të rrallë si të një gjarpri. Pikërisht kjo femër arriti të bënte për vete Pit dhe t’ia thyente keqas dhe publikisht zemrën Aniston. Anxhelina është e bija e një tjetër aktori të famshëm, Jon Voight, me të cilin nuk ka pasur kurrë marrëdhënie të mira. E kaluara e saj është e mbushur me momente të errëta eksperimentimesh të rrezikshme, duke nisur që nga drogat, marrëdhëniet e çuditshme seksuale me femra, apo probleme të ndryshme mendore. Madje i ati e ka akuzuar njëherë publikisht se ajo kishte probleme mendore. Martesa e parë e saj ishte me aktorin Billi Bob Thorton. Ishte një marrëdhënie ndaj së cilës Anxhelina ishte shumë e dhënë, por e trazuar. Me raste pasioni i Anxhelinës ishte aq i madh sa për disa kohë ajo mbante varur një shishe në qafë me gjakun e të shoqit si të ishte hajmali. Por edhe filmi në të cilin Bred dhe Anxhelina u takuan ishte shumë domethënës. Në këtë film ata luajnë një çift të martuar, çift vrasësish që luftojnë kundër njëri-tjetrit, duke prezantuar një parodi sa qesharake aq edhe të dhunshme. Filmi në vetvete ishte një dështim, por në të është shumë e lehtë që të vihet re kimia që kishte lindur tashmë mes Pit dhe Zholi. Në të të jepet përshtypja se Pit po përpiqej që të tregohej një djalë i mirë me të shoqen, Aniston, por në fund nuk ia doli mbanë. Anxhelina ishte e aftë që t’i ofronte Pit një aventurë të parezistueshme. Dhe ishte e çuditshme që ajo çka kjo grua i ofroi Pit nuk ishte aventura, por familja dhe një familje e madhe që shtohej vazhdimisht në numër me fëmijë biologjikë dhe të adoptuar. Për sa u përket karrierave të të dyve, që nga koha që janë bashkë, ato kanë qenë pak a shumë të zbehta. Zholi nuk ka arritur që të realizojë ndonjë gjë për t’u mbajtur mend, por Pit, nga ana tjetër, edhe pse nuk i solli ndonjë gjë të madhe ia ka dalë që të mbijetojë me lavdinë e kohërave të shkuara, para se të përfshihej nga jeta dashurore me bashkëshorten dhe më pas me partneren e tij. Në jetën e një aktori ka një moment kur, nëse nuk arrin që të tregohet i kujdesshëm, fama e tij nuk ka të bëjë më me filmat që interpreton, por me bëmat personale. Në këtë moment ai shndërrohet në aktorin që luan rolin e vetvetes në sy të të tjerëve, kureshtarëve, paparacëve. Në njëfarë mënyre Pit është shndërruar në një aktor të tillë. Ndryshe nga sa mendojnë disa, profili i tij ra pas lidhjes me Zholi, që i solli edhe një ekspozim shumë më të madh të jetës personale, çka e vuri më shumë në rolin e një aktori telenovelash. Pit ra në dashuri si budalla, plot epsh, tërësisht i eksituar nga joshja e Anxhelinës. Me prishjen e kësaj lidhjeje, nëse është e vërtetë, mund të marrë fund shumë më tepër një lidhja e një çifti. Bashkë me të mund të marrin fund lidhje të tilla hollivudiane, që më shumë kanë qenë për sytë e faqet e botës se sa për çiftin vetë. Vetë sistemi i yjeve të shndritshëm me jetët e bukura dhe të ëmbla është në perëndim e sipër. Në fakt, vërdallë nuk kanë mbetur shumë çifte të tilla. Ndoshta të fundmit janë Tom Kruize dhe Keti Holms, por edhe ata janë shndërruar në dy persona të mërzitshëm, që nuk kanë më ç’të ofrojnë. Pit dhe Zholi, edhe pse të dy të famshëm e me shumë role në kurriz, ende nuk e kanë fituar një çmim “Oskar”, por nëse do të kishte një kategori shtesë do të ishte mirë që ata ta fitonin për reklamimin që i bënë në publik jetës së tyre, për shitjen e fotove të fëmijëve dhe të një jete shtëpiake që ndoshta nuk ka ekzistuar kurrë dhe që mbi të gjitha e ndërtuar mbi ato baza nuk do të mund të zgjaste pafundësisht. Për 5 vite të gjatë historia e tyre tentoi që të përçonte pasion, rrezik, pasuri, harmoni, jetë familjare, një çift që kishte gjithçka që mund të kërkohet nga jeta. Ata për disa kohë e lanë të kuptohet një gjë të tillë, pra luajtën në mënyrë perfekte dhe e meritojnë plotësisht çmimin./shqip/

Comments (0)

Advertise Here
Advertise Here

Reklama

Statistika