Punonjësit e administratës publike duhet të jenë të kujdesshëm në përdorimin e kompjuterit, pasi çdo veprim do të kontrollohet nga zyrat e Teknologjisë së Informacionit (IT). Duke nisur me hapjen e faqeve të ndryshme të internetit, përdorimi i e-mail-ve (posta elektronike), e deri te printimi i materialit, do të jenë objekt kontrolli nga eprorët, të cilët nga data 18 janar janë të detyruar të zbatojnë rregulloren “Mbi përdorimin e internetit nga administrata”. Kush hap faqe interneti që nuk i shërbejnë qëllimit të punës, kush dërgon e-mail-e personave të paautorizuar, si dhe printimi i materialeve të kota, duke shpërdoruar letrën dhe bojën, do të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi, deri me largim nga puna. Rregullorja e përdorimit të internetit është hartuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe ka si qëllim rritjen e eficencës në punë dhe lehtësimin për një komunikim më të mirë. Në këtë mënyrë, qeveria dikton përdorimin e internetit, duke pasur mundësi të kontrollojë çdo faqe të hapur nga punonjësi, e-mail-in, jo vetëm të brendshëm, por edhe personal, apo të ndalojë ato website që trajton çështje që nuk lidhen me objektin e punës apo diskriminuese. Me autorizimin e eprorit, shefi i zyrës së IT-së do të monitorojë në mënyrë kronologjike faqet e hapura, ndërsa ndalohet rreptësishtë përdorimi i komunikimit online (messenger-it apo chat-it).
“Për të shmangur anët negative të përdorimit të internetit duhet të evitohen problemet që mund të lindin si pasojë e përdorimit pa kriter të shërbimit të internetit që mundësohet nga institucionet shtetërore dhe të evitohen dërgimet e dokumenteve ose informacioneve personave ose organizatave të paautorizuara”, thuhet në një nga paragrafët e rregullores.

Në të vërtetë, qëllimi i kësaj rregulloreje lidhet me ndalimin e nxjerrjes së të dhënave apo dokumenteve zyrtare, të cilat në një formë zbulojnë të vërtetën e asaj çka ndodh realisht në administratë. Në shumë raste, qeveria është përballuar me dokumente të brendshme dhe të publikuara në media, duke krijuar debate. Për shkak të mungesës së transparencës në VKM apo projektligje, media është nxitur të përdorë kanale të tjera komunikimi, duke siguruar informacione që zbulonin të vërtetat. Me rregulloren e re, marrja e informacionit, qoftë elektronikisht apo dorazi, do të jetë e vështirë (edhe printeri do të monitorohet).
Çfarë nuk duhet përdorur në internet
Punonjësit i ndalohet përdorimi i shërbimit të internetit për të shkarkuar, përdorur ose shpërndarë materiale me përmbajtje diskriminuese (raciale, kulturore, politike, gjinore apo fizike), dhe literaturë negative rreth drogave ose materiale pornografike. Administrata nuk duhet t’i shfrytëzojë pajisjet teknologjike, si kompjuterin, fax-in, printerin apo fotokopjen, për qëllime personale, duke favorizuar persona që nuk kanë lidhje me institucionin. Në mënyrë kategorike janë të ndaluara lojërat elektronike, me përjashtim të atyre rasteve kur shërbejnë për profesionin, si dhe komunikimet elektronike online, si messenger apo chat. Kush shkel rregulloren, ndëshkohet me legjislacionin në fuqi, deri me largim nga puna.










